Problemet me furnizimin me ujë, shkarkohet Skerdi Drenova kreu i UKT Tiranë

Është shkarkuar nga detyra kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.

Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë atë në krye të institucionit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë një plan konkret për zgjidhjen e krizës së ujit në Tiranë.

Sipas banorëve të disa zonave të Tiranës, furnizimi me ujë është kufizuar në vetëm një orë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat më bazike të përditshmërisë, si higjiena personale, gatimi apo pastrimi.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh dhe pakënaqësi në masë, veçanërisht për familjet me fëmijë, të moshuar apo persona me nevoja të veçanta.

Problematika është thelluar me kalimin e kohës dhe, sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu.

Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.

Të Fundit