Prindërit e fëmijëve të sëmurë detyrohen të marrin bileta, gazetari: Urgjenca Pediatrike në QSUT si sportel banke, abuzim me standardet mjekësore

Gazetari Osman Stafa ka ngritur alarmin për gjendjen shqetësuese në Urgjencën Pediatrike të QSUT-së, duke e krahasuar atë me një sportel banke. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai denoncon se prindërit e fëmijëve të sëmurë detyrohen të marrin biletë tek një makineri numrash dhe të presin radhën, në vend që fëmijët të trajtohen menjëherë sipas urgjencës së gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas tij, ky sistem është një formë abuzimi me standardet mjekësore, pasi urgjencat funksionojnë mbi bazën e triazhit, ku prioritet kanë pacientët më rëndë dhe jo radhët numerike. Stafa thekson se situata bëhet edhe më kritike gjatë periudhave të virozave, kur me qindra fëmijë përballen vetëm me dy mjekë dhe katër infermierë, të shpërndarë në disa dhoma të vogla.

Ai e quan të patolerueshme faktin që fëmijët me temperatura, probleme frymëmarrjeje apo të vjella detyrohen të presin së bashku në një ambient të mbushur plot, duke rritur rrezikun e përhapjes së infeksioneve. “Në vend që të shtohet personeli dhe të zgjerohet kapaciteti, është futur një makineri qesharake që e kthen urgjencën në bankë,” shprehet Stafa.

Gazetari thekson se Urgjenca Pediatrike, ku përplasen rastet nga e gjithë Shqipëria, nuk mund të funksionojë me kaq pak staf dhe hapësira të kufizuara, duke kërkuar që ajo të ketë të njëjtën përmasë dhe standarde si urgjenca e madhe e QSUT-së. “Fëmijët nuk janë numra, ata kanë nevojë për kujdes, prioritet dhe dinjitet,” përfundon Stafa.

URGJENCA PEDIATRIKE SI BANKË.
Në Urgjencën Pediatrike në QSUT, aty ku çdo ditë shkojnë me qindra prindër me fëmijët e tyre të sëmurë, sistemi është kthyer në tallje dhe absurditet, në trajtimin e të vegjëlve.
Në vend që një fëmijë i sëmurë të shihet menjëherë nga personeli mjekësor sipas urgjencës, prindërit detyrohen të shkojnë tek një makineri numrash, të marrin biletë, dhe të presin “radhën”, si në bankë!
Kjo është antishkencë mjekësore dhe abuzim me standardet e kujdesit shëndetësor, sepse urgjenca nuk funksionon me radhë, por me triazh(kategorizim urgjence), kush është më rëndë, trajtohet i pari.
Por absurdi nuk mbaron këtu:
Me qindra fëmijë në ditë, e sidomos në periudha virozash, përballen vetëm me 2 mjekë dhe 4 infermierë, të shpërndarë në vetëm 2-3 dhoma të vogla.
Fëmijët me temperatura, me të vjella, me probleme të frymëmarrjes, presin bashkë në një hapësirë të mbushur plot, duke përhapur infeksionet te njëri-tjetri.
Në vend që të zgjerohet kapaciteti dhe të shtohet personeli, institucionet kanë futur një makineri qesharake që e kthen urgjencën në sportel banke.
S’mundet Urgjenca Pediatrike, ku përplasen rastet nga e gjithë Shqipëria, të funksionojë si 2+1, dhe me 2 mjekë e 4 infermierë. E patolerueshme!
Urgjenca Pediatrike duhet të ketë hapsira, sa urgjenca tjetër e madhe e QSUT-së.
Fëmijët nuk janë “numra”! Ata kanë nevojë për kujdes, për prioritet dhe për dinjitet.
Shëndetësia nuk bëhet me bileta radhe, por me mjekë, infermierë dhe organizim të mirëfilltë.

Të Fundit