Kryeministri Edi Rama prezantoi sot 3 programe të reja nxitjeje të punësimit në mbështetje të atyre që janë prekur në vendin e tyre të punës nga pandemia.
Kreu i qeverisë tha se pavarësisht vështirësive gjatë periudhës së pandemisë vendi ynë ka nivelin më të ulët të papunësisë në rajon, me 11,2 për qind. Sipas tij, nga 33 mijë vetë që humbën vendin e punës për shkak të pandemisë, 20 mijë kanë mundur të ripunësohen.
Sfidë e qeverisë tha kryeministri, është vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë të reja.
Teksa theksoi faktin se këto programe punësimi u vijnë në ndihmë atyre që sot kanë nevojë të riintegrohen në tregun e punës, kreu i qeverisë tha se sot kemi 44 mijë punëdhënës të regjistruar në sistem, që do të thotë “44 mijë bashkëpunëtorë të rrjetit të zyrave të punës që përdorin këto zyra për një ndërmjetësim për të marrë njerëz në punë”.
“Veç punësimit, kjo skemë garanton reduktimin e punës në të zezë. Na duhet ne si qeveri, si rrjet i zyrave të punës që ta intensifikojmë informimin për këtë.
Aplikimet për këto programe bëhen përmes e-albania, me kosto zero. Të fokusohemi tek informimi për këto programe dhe të nxisim, të nxisim. Këto nuk janë programe që ju lehtësojnë punën, por ju ndihmojnë për ta kapur vendin e punës me një dije të mjaftueshme për t’u rekrutuar nga kompanitë që kanë nevojë për krah pune të kualifikuar”, tha z. Rama.