Shtetet e Bashkuara kanë përzgjedhur dizajnin futurist të sistemit mbrojtës anti-raketë “Kupola e Artë”, që do të mbrojë Amerikën nga sulmet.
Duke njoftuar lajmin, presidenti Donald Trump ka deklaruar se sistemi do të jetë operacional brenda mandatit të tij.
Duke folur nga Dhoma Ovale, Trump ka thënë se sistemi do të konsistojë në teknologjitë e “gjeneratës së ardhshme”, në gjendje të veprojnë në det, tokë dhe ajër, duke përfshirë sensorë me bazë në hapësirë dhe interceptues.
“Sistemi do të jetë në gjendje të interceptojë edhe raketa të qëlluara nga ana tjetër e botës, ose nga hapësira”, ka shtuar Trump.
Vetëm pak ditë pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar, presidenti bëri publik synimin e tij për ndërtimin e sistemit, që do të kundërveprojë ndaj kërcënimeve ajrore të brezit të ardhshëm, përfshirë nga raketat balistike dhe ato kruis.
Një shumë paraprake prej 25 miliardë dollarësh është parashikuar për projektin në buxhetin e ri, edhe pse qeveria ka vlerësuar se kostoja mund të shkojë deri në 20 herë më shumë për mirëmbajtjen në dekada.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se sistemet ekzistuese nuk janë në të njëjtin nivel me armatimet e sofistikuara të rivalëve të Shteteve të Bashkuara.
Një dokument i publikuar së fundmi nga Agjencia e Inteligjencës për Mbrojtjen vinte në dukje se kërcënimet nga raketat do të intensifikohen për shkak të sofistikimit në rritje, me Kinën dhe Rusinë që në mënyrë aktive po prodhojnë sisteme për të përfituar nga boshllëqet dhe defektet e sistemeve amerikane.