Presidentja Osmani mandaton Glauk Konjufcën për kryeministër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mandatuar këtë të martë kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit. Osmani u shpreh se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese.

“Në përputhje me Kushtetutën dhe me të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar z. Glauk Konjufca si kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4, si edhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani.

Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.

“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.

Ajo shtoi se pas takimit që pati me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Glauk Konjufcën, ata e kanë bindur që kanë besim të plotë që mund t’i arrijnë votat e nevojshme.

“VV dhe Glauk Konjufca që sapo përfundova takimin me ta kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat, mua më takon që të bindem që kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa, ashtu siç kërkohet nga aktgjykimi i Kushtetueses. Sikur mos të kishte fare propozim do të kishim një situatë krejt tjetër”, shtoi Osmani.

Pas mandatimit nga presidentja, Konjufca ka kohë 15 ditë që të paraqesë para Kuvendit të Kosovës, kabinetin e ri qeveritar, që duhet t’i marrë të paktën 61 vota pro.

Të Fundit