Presidenti mesazh urimi për fundvit: Shqipëria ka nevojë për zyrtarë me integritet

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka ndarë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri.

– Advertisement –
Në mesazhin e fundit për vitin 2024, Begaj theksoi rëndësinë e bashkimit dhe angazhimit të gjithsecilit për një Shqipëri më të fortë, më të begatë dhe më demokratike në vitin 2025.

Në mesazhin e tij për Vitin e Ri, Begaj ka rikujtuar se ky është një moment për reflektim dhe bilanc, për të festuar arritjet dhe për të shprehur shpresat për të ardhmen. Ai ka përshëndetur çdo shqiptar që kontribuon për një Shqipëri më të mirë, si ata që jetojnë brenda vendit, por dhe për ata që punojnë dhe jetojnë në emigracion.

“Festa e Vitit të Ri është një mundësi për t’u bashkuar rreth vlerave tona më të rëndësishme, si: dashuria për familjen, atdhedashuria dhe mikpritja. Ky është një moment që na kujton se si komb, ne ndajmë të njëjtën shpresë dhe vizion për të ardhmen”, tha ai.

Presidenti Begaj theksoi arritjet e Shqipërisë gjatë vitit që po lëmë pas, duke përmendur progresin në fusha të ndryshme si reforma në drejtësi, fuqizimi i rolit të Diasporës, dhe avancimi i vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ndryshimi i viteve është moment bilanci dhe reflektimi, të cilin e bëjmë individualisht, si familje, si shoqëri, si shtet e si komb.

Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur pritshmëritë, aspiratat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj.

Ky vit ishte i pasur me arritje në shumë fusha, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimin e partneriteteve dhe imazhit ndërkombëtar, si dhe përqafimin e risive teknologjike.

Dikur e varfër dhe e izoluar, Shqipëria sot është anëtare aktive në NATO, është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendi i samiteve ndërkombëtare dhe mikpritëse e miliona turistëve.

Shqipëria sot është vendi ku reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Shqipëria sot mundëson dhe i jep fuqi votës së Diasporës.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Ndonëse dëshirat tona mund të ndryshojnë, të gjithë ndajmë të njëjtën shpresë e vizion.

Reformat që do të përgatisin Shqipërinë e së nesërmes kërkojnë përpjekje dhe angazhim nga secili prej nesh.

Shqipëria ka nevojë për një politikë më aktive, transparente dhe llogaridhënëse.

Vendi ka nevojë për zyrtarë me integritet dhe institucione të forta, që garantojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Si shtet e shoqëri, duhet të fokusohemi te sfidat afatgjata, me qëllim nxitjen e reformave konsensuale dhe të qëndrueshme për ngushtimin e hendekut social midis brezave, zonave dhe shtresave shoqërore.

Mbi të gjitha, kemi nevojë për forcimin e rolit të familjes, mirëarsimimin, mirëedukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar”, tha Begaj.

Viti 2025 pritet të jetë një vit zgjedhor që do të përcaktojë kursin e ardhshëm të vendit. Presidenti apeloi për angazhim të gjithanshëm nga qytetarët dhe politikanët për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe të llogaridhënshëm.

Ai ka bërë thirrje për një politikë më aktive dhe më të hapur, për zyrtarë të integruar dhe institucione që respektojnë vlerat e demokracisë, si dhe për një shoqëri që fokusohet në sfidat afatgjata dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm.

Në përmbyllje, Presidenti Begaj shprehu besimin se Shqipëria ka mundësitë dhe kapacitetet për të arritur objektivat e saj dhe apeloi për një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt, të zhvilluar dhe demokratike.

Të Fundit