Samiti i Procesit të Brdo-Brijuni-t mblodhi në qytetin e Kavajës udhëheqësit e vendeve të Ballkanit.
Ky takim i nivelit të lartë, i kryesuar nga Presidenti Bajram Begaj kishte në fokus dialogun rajonal dhe procesin e integrimit europian të vendeve të rajonit.
Samiti nisi me fjalën hapëse, ku kreu i shtetit Begaj e vuri theksin tek rëndësia e rritjes së bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Për ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit europian. Ne duhet të shkëmbejmë eksperiencat dhe përvojat për Integrimi në BE”, tha Begaj.
Ashtu siç e do tradita, liderët u rreshtuan për foton familjare. Krah Begajt qëndruan Presidenti i Kroacisë dhe ajo e Sllovenisë, ndërsa nuk munguan as Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i shtetit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Pas përfundimit të Samitit, ishte President Begaj i cili sqaroi se diskutimet u fokusuan mbi sfidat gjeopolitike.
“Megjithatë rajoni ynë përballet me sfidat e sigurisë, që kërkon një koordinim më të ngushtë mes nesh. Plani i Rritjes së BE, përmban një element të rëndësishëm për rajonin, pasi siguron akses në instrumenat financiarë të BE”, u shpreh presidenti.
Krahë liderit të Kroacisë dhe Sllovenisë, nuk harroi të theksonte edhe objektivin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
“Integrimi në BE gëzon mbështetjen e shoqërisë shqiptarëve, pasi pasqyron demokracinë, të drejtat e njeriu dhe sundimin e ligjit. Këto vlera janë themeli i së ardhmes që Shqipëria po ndërton. Shqipëria synon që të mbyllë negociatat në vitin 2027 dhe në 2030 të jetë anëtare e Bashkimit Europian”, tha Begaj.
Në mbyllje të Samitit, liderët firmosën dhe konkluzionet e përbashkëta ku ranë dakord të forcojnë dialogun politik dhe ndërtimin e besimit reciprok.