Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë.
Begaj u tha të sapodiplomuarve se Shqipëria ka nevojë për ta dhe i ftoi të zgjidhnin të ndërtonin karrierën dhe jetën e tyre në Shqipëri, duke kontribuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor kombëtar.
“Ju jeni e ardhmja e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, sepse mbi supet tuaja do të mbështetet shëndeti i qytetarëve tanë. Sot keni përpara një horizont të gjerë mundësish, me shtigje të hapura si brenda vendit, edhe jashtë tij. Por unë ju ftoj me gjithë zemër: zgjidhni Shqipërinë! Vendi ynë ka nevojë për ju. Pranojeni këtë si mision dhe sfidë, si dhe ndërtoni këtu jetën tuaj profesionale, pranë njerëzve tuaj. Ndihmoni të forcojmë së bashku një sistem shëndetësor edhe më të mirë, edhe më modern, duke garantuar një të ardhme më të shëndetshme për qytetarët tanë.”, tha Begaj, i cili gjatë fjalës së tij e konsideroi profesionin e mjekëve të shenjtë.
Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj pedagogëve, të cilët, sipas tij, nuk formojnë vetëm profesionistë, por edhe qytetarë me vlera dhe etikë. Ai theksoi nevojën për investim të vazhdueshëm në trajnimin dhe mbështetjen e mjekëve, duke i konsideruar ata shtyllën kryesore të sistemit shëndetësor.
Në fund, presidenti Bajram Begaj rikujtoi rëndësinë e Betimit të Hipokratit, si udhërrëfyes i përhershëm për çdo mjek në ushtrimin e profesionit të tij, dhe uroi të sapodiplomuarve suksese dhe përmbushje në misionin e tyre fisnik.
Është kënaqësi që ndodhem sot me ju në këtë ditë të shënuar për universitetin, për familjet tuaja dhe mbi të gjitha për ju, studentë të sapodiplomuar.
Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe për mikpritjen!
Si dikush që ka ndjekur studimet në Mjekësi, nuk i fsheh dot emocionet që më përcjell kjo atmosferë. Ju ndodheni sot në një pikënisje të ngjashme, me pasionin dhe ëndrrat që do t’ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës, por mbi të gjitha me ndjenjën e madhe të misionit që frymëzon rruga që keni zgjedhur.
Ndihem i vlerësuar të vij për të përshëndetur miq e kolegë angazhimesh.
Rrugëtimi që na bashkon të gjithëve sot këtu është i gjatë. Studimet e mjekësisë, si dhe e gjithë rruga që pason, kanë kompleksitet dhe vështirësi, por, në çdo moment të shkollimit e punës sonë, shërbimi i dhënë ndaj shoqërisë e njerëzimit është shumë më i madh.
Të nderuar kolegë të rinj,
Ju diplomoheni sot nga një universitet me shumë traditë dhe i dedikuar në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, pavarësisht gjithë vështirësive që vendi ynë ka kaluar apo dhe burimeve që ky universitet kërkon.
Ju diplomoheni nga një staf pedagogjik që ka përgatitur breza profesionistësh të mjekësisë, të cilët kanë mundur të ruajnë cilësinë e shërbimit shëndetësor në vendin tonë përkundër një sistemi shëndetësor që kërkon reformim të spitaleve dhe që ka nevojë për më shumë mbështetje.
Ju diplomoheni nga një universitet dhe nga pedagogë që kanë ditur të ruajnë dinjitetin e mjekut shqiptar, i cili gëzon një respekt të veçantë në të gjitha familjet shqiptare për sakrificën dhe modestinë, pavarësisht sistemeve, pavarësisht politikës, pavarësisht emocioneve që rrethojnë punën tyre, e nganjëherë edhe akuzave.
Ju diplomoheni nga një universitet që njihet dhe jashtë vendit tonë, falë kolegëve tuaj, kolegëve tanë që kanë lënë gjurmë me punën e tyre në Shqipëri apo në vende të tjera.
Ndaj, bashkë me diplomën, juve ju përket nderi, dedikimi dhe përkushtimi i mjekut shqiptar të respektuar në vend e të kërkuar kudo në botë. Do t’ju duhet t’i mbroni e t’i çoni përpara këto arritje, që janë sa personale e profesionale, aq edhe të të gjithë profesionistëve të mjekësisë.
Të dashur të sapodiplomuar,
Sot ju hyni në një profesion të veçantë, ndoshta më të veçantin nga të gjithë, sepse mjekësia nuk është vetëm një profesion, por një mision i shenjtë për mbarë shoqërinë, një betejë e përditshme për të parandaluar dhe trajtuar sëmundshmërinë dhe për të shpëtuar jetë. Të jesh mjek do të thotë të përballesh çdo ditë me vuajtjen, por edhe me shpresën, të kërkosh dije të reja, por edhe të kultivosh dhembshuri për të ushtruar një shkencë të fortë, por edhe një art të thellë human. Ky profesion është mënyrë jetese që kërkon integritet, përkushtim dhe një shpirt të lartë njerëzor në shërbim të pacientit.
Siç e keni mësuar tashmë, rruga që keni zgjedhur nuk është e lehtë. Do të ketë sfida të mëdha, ditë të gjata, momente kur do të ndiheni të lodhur, por asgjë nuk është më shpërblyese se të dish që ke ndihmuar dikë të jetojë e të shërohet. Ky është çmimi i fisnikërisë së profesionit. Mos harroni se mjekësia është një shkencë në zhvillim të pandalur. Sot, në epokën e digjitalizimit dhe të inteligjencës artificiale, ritmi i ndryshimit është i jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, mjeku duhet të mbetet gjithmonë student. Vetëm etja për dije do t’ju mbajë të denjë për misionin tuaj.
Të dashur të sapodiplomuar,
Ju jeni e ardhmja e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, sepse mbi supet tuaja do të mbështetet shëndeti i qytetarëve tanë. Sot keni përpara një horizont të gjerë mundësish, me shtigje të hapura si brenda vendit, edhe jashtë tij. Por unë ju ftoj me gjithë zemër: zgjidhni Shqipërinë! Vendi ynë ka nevojë për ju. Pranojeni këtë si mision dhe sfidë, si dhe ndërtoni këtu jetën tuaj profesionale, pranë njerëzve tuaj. Ndihmoni të forcojmë së bashku një sistem shëndetësor edhe më të mirë, edhe më modern, duke garantuar një të ardhme më të shëndetshme për qytetarët tanë.
Të nderuar pedagogë,
Dua të shpreh mirënjohjen time për punën tuaj të palodhur! Ju nuk formoni vetëm profesionistë, por edhe qytetarë me vlera, me etikë dhe me ndjenjë përgjegjësie. Është pikërisht përkushtimi juaj që përcakton cilësinë e profesionistëve tanë mjekësorë dhe besimin që shoqëria vendos për ta.
Përballja me sfidën e ripërtëritjes së stafit mjekësor për të qenë të aftë profesionalisht dhe moralisht është një detyrë që kërkon durim dhe vizion.
Ju falënderoj që i qëndroni këtij misioni me pasion e përkushtim!
Ndërsa, të gjithë profesionistëve të mjekësisë dua t’ju them se ju jeni shtylla kryesore e sistemit shëndetësor, që me përkushtim dhe sakrifica mbani gjallë besimin e qytetarëve te mjekësia. Ne mund të ndërtojmë spitale të reja dhe të blejmë aparatura moderne, por pa mjekë të mirë, pa dijen dhe përkushtimin tuaj, sistemi shëndetësor nuk ka jetë. Prandaj, investimi më i madh që mund të bëjmë është te ju, te formimi, te kërkimi shkencor dhe te mbështetja e vazhdueshme e profesionit tuaj fisnik.
Ne ju kemi detyrim standardet evropiane të sistemit shëndetësor. Ne kemi detyrim t’ju krijojmë kushtet të qëndroni në Shqipëri, të trajtoheni me dinjitet, duke ju dhënë mundësinë edhe të eksperiencave jashtë vendit, gjithashtu.
Të sapodiplomuar,
Kjo ditë është një pikënisje, jo një mbyllje. Arritja në shkollën e mjekësisë është një nga më të mëdhatë në jetë, por ka edhe një arritje më të madhe se kjo: respektimi i Betimit të Hipokratit në çdo sekondë të punës suaj, pavarësisht situatës, kushteve dhe presionit.
Të jesh mjek nuk është vetëm një profesion. Të jesh mjek është një mision.
Ju uroj me gjithë zemër suksese në misionin tuaj!
Qofshi të plotësuar, të gëzuar dhe gjithnjë të respektuar!
Ju faleminderit!