Premtoi para për blerje vote, e pëson keq 38-vjeçari

Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia e Lushnjës nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas uniformave blu, 38-vjeçari i premtoi një shtetasi, dhënien e një shume parash, për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik.

Nga hetimet paraprake të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, rezulton se 38-vjeçari, përveç premtimit për dhënien e parave, ka marrë dhe kartën e identitetit të shtetasit në fjalë, e cila është sekuestruar nga autoritetet si provë materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të Fundit