Prej javësh pa ujë të pijshëm, banorët e Maliqit në protestë: Ky që kemi na rrezikon fëmijët

Banorët e dy fshatrave të bashkisë së Maliqit ankohen për cilësinë e ujit, i cili në rubinetat e tyre vjen me erë të rëndë. Për këtë arsye këtë të martë janë mbledhur në protestë.

Raportohet se rreth 1 mijë banorë të fshatrave Tërovë dhe Pendavinji, prej dy javësh nuk përdorin ujin as për të pirë dhe as për të plotësuar nevojat bazike të familjeve.

Banorët thonë se rastet e ndotjes së ujit janë të përsëritura, ndërsa kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje nga Bashkia e Maliqit.

Sipas banorëve, rrjeti i ujësjellësit që furnizon dy fshatrat nuk është i vjetër, çfarë ngre dyshime për ndotje të burimit prej nga shpërndahet uji.

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Bashkisë Maliq, ka kontrolluar të gjitha linjat e furnizimit, por nuk ka gjetur ndërhyrje apo dëmtime, që mund të kenë shkaktuar ndotjen e ujit, ndërsa po merren monstra për të analizuar në laborator cilësinë e ujit.

“Kemi rreth 3 javë që kemi probleme me ujin e pijshëm. Kam folur me Ujësjellësin e Korçës, kanë ardhur dhe kanë verifikuar të gjitha linjat. Nuk kemi probleme në linja. Është një problem i vështirë dhe s’po e kuptojmë nga na vjen. Mbase shkak kanë qenë reshjet e shumta. Banorët kanë blerë ujë, sepse uji që kemi është i papërdorshëm dhe ka rrezik helmimi, sidomos për fëmijët.”, tha kryeplaku i fshatit Tërovë, Andonaq Risto.

Ndotja e ujit në dy fshatra të Bashkisë së Maliqit ka vënë në lëvizje edhe Drejtorinë e Shëndetit Publik, e cila pritet të vlerësojë përmes analizave cilësinë dhe nivelin e ndotjes të ujit.

Të Fundit