Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, dha alarmin se lufta në Ukrainë mund të çojë drejt daljes së një varianti të ri të koronavirusit.
I ftuar në News24, Brataj tha se grumbullimi i madh i ukrainasve nëpër bodrume, qëndrimi aty për një kohë të gjatë, në ambiente të pa ajrosura dhe të ftohta, mund të çojë drejt përhapjes së madhe të koronavirusit, gjë që mund të krijojë një variant të ri të virusit, i cili do të përhapej në të gjithë botën.
“Një masë shumë e rëndësishme është vaksinimi nga mosha 12 vjeç e lartë për të gjithë. U pa se vektor i transmetimit të sëmundjes janë moshat e vogla të pavaksinuara. Synojmë që të kemi një popullsi të mbrojtur. Jemi ende në pandemi, mendohet të kalojmë në ende pas verës, por asgjë nuk është sërish e sigurt. Tani na u shtua dhe lufta, ku kaluam nga një luftë e padukshme në një luftë të dukshme. Ukraina është 44 milionë njerëz, ku shumë janë mbledhur nëpër bodrume, në një kohë të gjatë, në ambiente të mbyllura, të ftohta, që do të thotë se mundësia e përhapjes së infeksionit është shumë herë më e madhe. Kjo përhapje do të krijojë probleme. Omicroni nuk do të lërë njeri pa kapur, i vaksinuar apo i pavaksinuar qoftë. Duke parë numrin e madh të grumbullimeve, mund të lindë ndonjë variant i ri, pasi Rusia dhe Ukraina nuk janë dhe mirë me nivelin e vaksinimit. Po doli variant i ri, ne e kemi parë që përhapet në të gjithë botën”, tha Brataj.
Sa i përket vaksinimit, kreu i Urgjencës u shpreh se “Nëse do të ketë një vaksinë tjetër, sigurisht që do të jetë, por ne themi që të kalojmë në endemi, edhe pse nuk është e sigurt nëse do të shfaqet sërish vitin tjetër virusi. Edhe nëse shfaqet, mund të jetë si puna e gripit, por në një popullsi të imunizuar, nuk do të ketë efektshmëri. Edhe vaksina do të jetë me dëshirë, si ajo e gripit. Në kuadrin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, lindin edhe prodhime të reja të vaksinave, sipas moshave, problemeve shëndetësore, etj. Vaksinimi është arma më e sigurt në këtë moment. Vaksinimi na mbroj, ndryshe po na kapi sëmundja, sigurisht që do të kemi pasoja, mund të mbetemi invalidë, mund të kemi probleme të tjera, deri te “long covid”, që vijon për një kohë të gjatë”.
Brataj foli më tej dhe për situatën e pandemisë në vendin tonë, duke thënë se jemi ende në pandemi, por sipas tij, pritet një pranverë dhe verë e qetë dhe një lehtësim i mëtejshëm i masave.
“Për fatin e mirë kemi pasur një nivel të mirë vaksinimi. Njerëzit duhet të dinë se e kanë mundësinë e vaksinimit në çdo moment. Sa i përket gjendjes, para dy-tre javësh ishin me mbi 20-25 shtrime në spitale dhe vizita në banesa për Covid-in kanë qenë mbi 3 mijë. Jemi akoma në gjendje pandemie. Sot, në 123 të infektuar, ka dy humbje jete. Por, rezultatet e sotme duken pas një muaji. Ne do të kemi një pranverë dhe verë shumë më të qetë, dhe sigurisht që masat do të rishikohen, drejt lehtësimit. Problemi është vjeshta dhe dimri i ardhshëm. E gjithë bota pritet që të kalojë në endemi”, shtoi Brataj.