Prania e ushtrisë në aeroportin e Rinasit, ministri Peleshi: Thjesht për vigjilencë të shtuar

Në një deklaratë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ngjarja e fundit në aeroport shkaktuar nga bojkotimi i punës së kontrollorëve të Albcontrol ka sjellë mosfunksionimin e aeroportit dhe mbylljen e tij.

Si pjesë e ministrisë së Mbrojtjes, Peleshi sqaroi se ushtria është pjesë integrale e ruajtjes së rendit dhe në një situatë të tillë nuk mund të mungonin.

Përvec prezencës, ruajtjes dhe garantimit të perimetrit të aeroportit, nuk ka pasur asgjë më shumë që lidhet me daljen e ushtrisë, teksa theksoi se është rritur vigjilenca.

“Nuk jemi në një rol të shtuar të forcave të armatosura në raport me çfarë ka ndodhur në aeroport, jemi në vijimin e punës si zakonisht, punës rutinë por me një vigjilencë të shtuar,” – u shpreh Peleshi.

Si ministër i Mbrojtjes dhe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Civile me kërkesën e ministres Balluku, ai tha se është kryer një mbledhje virtuale e Komitetit të Mbrojtjes Civile ku është diskutuar emergjenca që ka sjellë mosfunksionimi i aeroportit.

Ndër çështjet më të rëndësishme, ministri Peleshi në deklaratën e tij renditi këputjen e procesit të furnizimit me vaksina që sipas tij është dramatike dhe e palejueshme.

Në rast se furnizimi me vaksina ndërpritet, duke marrë parasysh që siç u shpreh Peleshi, kjo është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në këtë kohë pandemie, kjo do të sillte si rrjedhojë një emergjencë civile.

 

Të Fundit