Tentativa për të udhëtuar drejt hapësirës Schengen duke joshur punonjësit e Policisë Kufitare duke iu ofruar para, ka rezultuar e dështuar për një 36-vjeçar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi me inicialet F. A., 36 vjeç, rreth orës 09:30 është paraqitur në aeroport, për të udhëtuar drejt një vendi të BE-së. Pas mbërritjes në kabinën e kontrollit kufitar, ky shtetas ka paraqitur pasaportën e tij si dokument udhëtimi dhe boarding pass.
Nga ana e efektivëve të Policisë Kufitare i është kërkuar një dokumentacion shtesë që të justifikonte qëllimin e udhëtimit të tij, pasi u konstatua se kishte konsumuar afatin e qëndrimit në zonën Schengen. Ky shtetas nuk ka pasur ndonjë dokument qëndrimi në vendet e zonës Schengen dhe për këtë arsye është njoftuar nga ana e punonjësve të Policisë Kufitare se do i refuzohej dalja nga Shqipëria.
Pasi ka marrë këtë njoftim, shtetasi F. A. ka nxjerrë një kartëmonedhë 50 euro, me të cilën ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. A., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia Kufitare apelon për të gjithë ata qytetarë që duan të qarkullojnë drejt vendeve të BE-së, që të plotësojnë të gjithakriteret për të qarkulluar dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, pasi do përballen me ligjin.