Duke folur këtë të enjte në rubrikën e tij ‘Sy m’sy’, Kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me rezolutën e propozuar nga PD dhe të miratuar të mërkurën në samitin e Partive Popullore Evropiane, të mbajtur në Valencia të Spanjës.
Ai e cilësoi këtë rezolutë si fletë rrufe të kënetës dhe përmbajtjen e saj si një mal me broçkulla ku i dha përgjigje dhe pikave të kësaj rezolute.
“Boria e parë e humbjes që ra dje ishte në një mbledhje diku në Spanjë, ku ishin mbledhur partitë si motra të kënetës që u ka ngelur kënaqësia mes tyre dhe nuk dinë as ato se çfarë bëjnë. Keneta kaloi përmes tavolinave një fletë rrufe, sikurse ndodh në konferencat e partive, dhe aty filloi avazi: blerja e votave me para dhe kanabis, punësime elektorale dhe prokurime favorizuese për mbështetësit e socialistëve, abuzime me detyrën dhe mediat, emërim ilegal i kryetarit të bashkisë, kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës. Një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje dhe të përsëritura sa herë ka pasur humbje. E reja e këtyre zgjedhjeve është se kemi një strukturë të tërë, SPAK, që është në terren dhe në zyrë dhe i fokusuar në marrjen e të gjitha denoncimeve që, ma ha mendja, janë një lumë, sepse kur lexon këtë fletë rrufe, e kupton se duhet mbështetur me denoncime dhe duhen bërë siç janë në stilin e kënetës, njësoj si ato të kohës së dikurshme: denonco, fillo presionin, vë në dritën e prozhektorëve prokurorët, detyroji që të fillojnë procese deri kur ajo që ti kërkon të marrë trajtën e një hetimi dhe më pas shpall fajësinë, përpara se të nxjerrë rezultatet e hetimit. Duke qenë se kam qenë vetë pre e një kallëzimi të rremë, jam shumë e qartë se si zhvillohet e gjitha. Por tani kemi një institucion që ka treguar se është mbi palët dhe le të verifikojë se ku janë votat që po merren nëpërmjet kanabisit. Sa i përket punësimeve elektorale, kohë para nisjes së fushatës, qeveria ka ndaluar llojet e punësimeve që ligji s’e kërkon, por e ka bërë qeveria. Sa i përket emërimit ilegal të kryetarit të bashkisë, nuk di se cili është emërimi ilegal. Siç ndodh në këto raste, ka një nënkryetare që bën detyrën e drejtimit të bashkisë dhe që e ka marrë detyrën sipas të gjitha rregullave me delegim. Kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës? Me siguri është fjala për hetimin e ‘bufit të kënetës’, që nuk ka lidhje fare me fushatën zgjedhore”, tha Rama.