Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Përmbarimor ndërhynë për të liruar ambientet ku operojnë redaksitë e televizonit News24.
– Advertisement –
Veprimi u krye në zbatim të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ.
Sipas deklaratës zyrtare të Avokaturës së Shtetit, objekti në pronësi të shtetit mbahej pa titull ligjor nga shoqëria “Fokus Media News” që prej 22 majit 2022, datë kur përfundoi kontrata e qirasë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar lirimin e pronës brenda 25 korrikut 2022, por subjekti nuk e kishte dorëzuar ambientin, duke nisur procese gjyqësore dhe kërkesa për masa sigurimi për të pezulluar ekzekutimin.
Çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë Gjykatën e Lartë, dhe është shoqëruar me katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi i fundit, i datës 14 korrik 2025, urdhëron lirimin e menjëhershëm të ambientit dhe thekson se veprimtaria mediatike e subjektit nuk cenohet, pasi mund të zhvendoset në hapësira të tjera.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, prona i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin për bashkëprodhim të mjeteve motorike, si pjesë e një projekti strategjik për rivitalizimin e industrisë ushtarake dhe krijimin e vendeve të punës në zonën e Shkozës.
Ndërhyrja e sotme është kundërshtuar nga organizata të medias dhe përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë cilësuar si pengesë për punën e gazetarëve dhe si një veprim me prapavijë politike. Unioni i Gazetarëve dhe SafeJournalists Shqipëri kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të policisë dhe gjetjen e një zgjidhjeje që garanton vijimësinë e raportimit.
Nga ana tjetër Autoritetet shtetërore thonë se po veprojnë në përputhje me vendimet gjyqësore dhe se ekzekutimi i tyre është një detyrim i panegociueshëm për mbrojtjen e pasurive publike.