Policia plan masash për zgjedhjet: Mbi 5 mijë efektivë do të ruajnë objektet

Mbi 5 mijë punonjës policie do të angazhohen ditën e zgjedhjeve parlamentare më 11 maj në të gjithë vendin.

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave sa i përket këtij procesi të rëndësishëm për Shqipërinë.

Gjatë kësaj periudhe u trajnuan 6838 punonjës police dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve.

6500 efektivë garantuan rendin dhe sigurinë gjatë aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Policia bën me dije se janë referuar 37 raste për krime zgjedhore në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK.

Janë marrë në ruajtje nga unifomrat blu objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore.

Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.

Ditën e diel, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit dhe do të veprojë konform ligjit.

Më 11 maj, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Policia e Shtetit ju bën apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre, si dhe të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore.

Të Fundit