Brenda pak ditësh policia e shtetit do të nisë aksion në të gjithë vendin për vjedhjen e energjisë elektrike.
Në një mbledhje të thirrur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku me drejtuesit më të lartë të uniformave blu, është kërkuar që vjedhja e energjisë të jetë në fokusin e policisë së shtetit.
Kjo kërkesë e dy ministrave vjen pasi kryeministri Rama njoftoi krizën energjetike.
Prioritet do jenë kontrollet në bizneset e mëdha, të cilat do duhet të monitorohen në bashkëpunim me OSSHE.
Referuar raportit të Entit Rregullator të Energjisë, në vitin 2020 niveli i humbjes së energjisë elektrike përllogaritej 1.4 milionë megavat, nga të cilat rreth 60% vinte nga vjedhja e energjisë.
Nëse kjo energji do të shitej me çmimin mesatar të vjetshëm të bursës hungareze, ajo do të kushtonte 32,3 milionë euro.
Në vitin 2014 vjedhja e energjisë elektrike ishte një nga prioritetet kryesore të qeverië.
Në atë kohë bashkëpunimi mes uniformave blu dhe OSSHE çoi në arrestimin e qindra individëve të cilët u kapën duke vjedhur energji.