Policia Kufitare ka zhvilluar kontrolle përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë nga Saranda në Velipojë. Mësohet se janë bllokuar 4 skafe dhe janë ndëshkuar me gjoba nga 10 mijë deri në 20 mijë Lekë drejtuesit e tyre për mungesë dokumentacioni. Po ashtu, mësohet se është sekuestruar 1 skaf me motorë të fuqishëm.
“Konkretisht, në Sarandë dhe në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar 3 mjete lundruese dhe ka ndëshkuar me masë administrative, nga 10.000 lekë të rinj secili, drejtuesit e këtyre mjeteve, për mungesë të dokumentacionit në bord.
Në Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar një mjet lundrues dhe kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë të rinj, drejtuesin e tij, për mungesë dokumentacioni.
Në liqenin e Shkodrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar një mjet lundrues skaf me 2 motorë të fuqishëm që dyshohet se mund të përdorej për trafiqe të paligjshme. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti”, njoftoi policia.
Policia thotë se po angazhohet maksimalisht dhe ka intensifikuar kontrollet me qëllim rritjen e sigurisë detare.