Policia e Shtetit bën njoftimin zyrtar për përplasjen me armë në Elbasan: Si u vra Pjerin Xhuvani! Kush janë personat e përfshirë në ngjarje (EMRAT)

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen në Elbasan një ditë më parë, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Një ditë pas krimit, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një deklaratë për mediat dha të gjithë detajet e krimit, duke përmendur me emra të gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Policia thotë se për ngjarjen janë arrestuar 10 persona, mes tyre edhe Arbër Paplekaj, i dyshuar si autori i vrasjes. Ndërsa në kërkim është shpallur Klement Xhaferri.

PERSONAT E ARRESTUAR

Sot, më datë 22.04.2021, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në kuadër të hetimit në lidhje me procedimin penal nr. 477 të vitit 2021, ekzekutuan urdhrat e ndalimit për shtetasit:

Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.

NE KERKIM

U shpall në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”  dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”

POLICIA U NJOFTUA PER INCIDENTIN NGA ARJAN HOXHA

Më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurinë  për shtabin elektoral  të subjektit politik Partia Demokratike për  qarkun  Elbasan, së në rrugën ”Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona.

Nga ana e Policisë është vlerësuar informacioni dhe menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë  një patrullë e Forcës  së Posaçme “Shqiponja”, dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë.

Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik.

Po kështu grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit  fuoristradë ML të drejtuar nga shtetasi M. G., duke i prerë rrugën,  marrë çelësin e automjetit. Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer  veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim.

TE ARRESTUARIT ISH USHTARAKE DHE ISH POLICE

Shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe  Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie  dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan.

Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike. Ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike.

SI PERSHKALLEZOI KONFLIKTI NE PERDORIMIN E ARMEVE

Pas  mbërritjes së forcave të Policisë,  konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve  dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave  9  dhe 11.1 milimetra,  4 predha,  tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa  dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike etj.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale shtetasit Arbër Paplekaj i është sekuestruar edhe një armë zjarri e tipit “Glock” .

MJETI ML PA TARGA

Nga këqyrja e automjetit  tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor  nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës.

Këto prova po i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Të Fundit