Policia e burgjeve është e pakënaqur me pagat e reja, pasi pritshmëritë e tyre ishin për një rritje më të madhe. Këto shqetësime të ngritura nga Sindikata e Shërbimeve Policore duhet të marrë zgjidhje me një paketë emergjente me paga dinjitoze për stafin e burgjeve.
Policët e burgjeve janë të ‘surprizuar’ nga rritja e pagave, por për keq, pasi kanë pritur më shumë para në llogarinë e tyre. Në nisje të muajit gusht kur kanë tërhequr rrogën për muajin korrik, policët e IEPV-ve kanë marrë më pak para se llogaritë që kishin bërë, për shkak se rritja e pagave është bërë mbi rrogën bazë të policit dhe jo mbi totalin e rrogës që ai merr së bashku me gradat dhe vështirësinë në punë.
Shembull/ Pra nëse polici e ka rrogën 70 mijë lekë, por baza është 50 mijë lekë sepse pjesa tjetër janë grada e vështirësi pune, rritja nuk i bëhet mbi 70 mijë lekëshin por mbi 50 mijë lekëshin. Për këtë arsye edhe rritja e rrogës praktikisht është më e ulët, sesa llogaria që ata kanë bërë me përqindjet e deklaruara.
Më konkretisht paga bazë për inspektor nga 64 mijë lekë që ishte është rritur në 70 mijë lekë, ndërsa për kryeinspektor paga bazë është 85 mijë lekë nga 68 mijë e 500 lekë që ishte para 1 korrikut. Ndërsa aspirantë prej një korrikut do të marrin 80% të pagës së inspektorit.
Sipas kreut të Sindikatës së Shërbimeve Policore Valentin Macaj, rritja e pagave nuk ka qenë aq sa është kërkuar dhe premtuar. Madje sipas tij pakënaqësitë e policëve të burgjeve lidhen edhe me trajtimin ushqimor të premtuar prej kohësh por ende s’ka asnjë rezultat. Sipas Sindikatës duhet një plan emergjent për stafin e burgjeve ku të përfshihen kredi të buta, rritje cilësore e pagave, trajtimi ushqimor, garantimi i transportit dhe uniformes dinjitoze.
Një tjetër paqartësi e ngritur nga policia e IEPV-ve ka të bëjë edhe me vlerën e rrogës, sepse ata kanë pritur që paga e tyre të jetë 900 euro neto, por në fakt paga bruto është në këtë shifër, por që ulet pasi paguhen sigurimet e taksat mbi pagën,
Po ashtu nga drejtoria e burgjeve sqarojnë se rritja e pagave për policet e burgjeve nuk bëhet për të gjithë njësoj, pasi ndryshon paga për aspirantin e brendshëm nga ai i jashtëm, apo për inspektorin e sigurisë së lartë nga inspektori i sigurisë së brendshme apo të jashtme. Po ashtu drejtoria e Burgjeve sqaron se rritja e pagave është bërë sipas asaj që ishte paralajmëruar, dhe ka vënë për Report Tv në dispozicion tabelën me rritjet respektive.
Vetë ministri i drejtësisë Ulsi Manja pati deklaruar se 3430 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do të përfitojnë nga kjo rritje e pagave në masën 13% – 27% sipas gradave, e përkthyer në lekë nga 6 mijë lekë deri në 8500 lekë rritje për gradat inspektor e nën inspektor. Kurse për gradën drejtues i lartë rritja e pagës shkon deri në 36 300 lekë në muaj.