Policia ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 5 mijë eurosh për këdo jep informacion të vlefshëm për kapjen e autorit të grabitës së ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit.
“Në funksion të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një shtetas është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor në Unazë të Re, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri ka marrë një shumë parash dhe është larguar me biçikletë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion pamjet filmike të ngjarjes. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton policia.
Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 08:25, në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re, ku një person ende i paidentifikuar, i cili mbante një send të dyshuar si armë zjarri, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, ka marrë një shumë parash.
Shuma e vjedhur nga deklarimet e pronarit është 30-40 mije euro. Pritet të bëhen veprimet në arkë për të përcaktuar shumën e saktë.