Polici u vetëvra me armën e shërbimit brenda në komisariat, Policia tregon arsyet: Pezullimi…!

Vetëvritet specialisti i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës Arben Pjeçi. Ai i dha fund jetës me armën e shërbimit në ambientet e policisë së Durrësit në zyrën e tij.

Pjeci prej disa ditësh ishte në gjendje të rënduar psikologjike pasi ishte pezulluar për disa ditë nga detyra.

Pezullimi nga detyra ka ardhur për faktin se Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”.

Policia e Durrësit jep informacion lidhur me ngjarjen e rëndë ku oficeri I policisë Arben Pjeçi është gjetur i vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës.

“Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat.

Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.

Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi.

Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.

Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal.

Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.

Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.

Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”, thuhet ne njoftimin e policise

 

Të Fundit