Hedhja e një efektivi nga lartësia e një pallati, para dy ditësh, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë ka shkaktuar reagime të shumta, për faktin se ishte i njëjti polic që kishte ndaluar djalin e Samir Manes.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar AMP.
Njoftim për media i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës. Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj. Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.
AMP falënderon mediat për besimin e mirëkuptimin dhe inkurajon publikun të denoncojë çdo rast paligjshmërie në numrin e gjelbër (pa pagesë) 08009090.