“Po zgjedh Vuçiçin para Evropës”, Berisha: Po bën tradhti kombëtare, në 12 mars në protestë

Jo Europa, por Beogradi. Sipas Sali Berishës Edi Rama, qeverisja e të cilit po ballafaqohet me drejtësinë, e bëri zgjedhjen me bashkëpenëmbajtësin e tij Aleksandër Vuçiç në editorialin e publikuar në mediat gjermane për një qasje të re të zgjerimit, ku hiqet dorë nga të drejtat që një vend anëtar i BE-së gëzon në këmbim të përfshirjes së Shqipërisë dhe Serbisë në tregun e përbashkët europian dhe zonën Shengen.

“Kemi të bëjmë me veprime in ekstremis të një njeriu që i mbështetur me shpatulla pas murit nga dhjetëra dosje, fakte, vetë dhe familjarisht, tani gjen zgjidhje në Beograd. Tani propozon, nuk na duhet Europa, por Ballkani i Hapur”.

Për kreun e opozitës kjo është një tradhti kombëtare, ku thotë se Rama po largohet nga busulla e orientimit drejt Evropës për Aleksandër Vuçiçin.

“Akt tjetër i tradhtisë kombëtare është ky, akti më i lartë pas tradhtisë që i ka bërë Kosovës është ky. Sepse është investuar 33 vite në procesin e integrimit në BE dhe nuk ka qenë kjo një përpjekje e gabuar. Jo, kjo ka qenë përpjekja më fisnike, investimi më i drejtë që kanë bërë shqiptarët”.

Kjo për Berishën është një arsye më shumë për të thirrur qytetarët në protestë.

“Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katër anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve evropiane të popullit shqiptar”.

Më 12 mars kur opozitarët të jenë në protestë, pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në 5 protesta kombëtare demokratë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Rama, dhe krijimin e një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira e të ndershme

Të Fundit