“Po vjen sherifi!” – Rama ironizon ardhjen e La Civita: Turist, do marrë shumë para

Kryeministri Edi Rama mbajti mëngjesin e kësaj të marte një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjete sociale, ku iu përgjigj dhe deklaratave të opozitës mbi ardhjen e Chris La Civita në Shqipëri për fushatën elektorale që pritet të nisë së shpejti.

Rama ironizoi ardhjen e organizatorit të fushatës së Trump, të cilin Berisha e cilëson si sherifi i ri amerikan, duke thënë se ai po vjen si turist në Shqipëri dhe jo me një detyrë zyrtare.

Rama ngriti pikëpyetje ndaj opozitës se ku i gjen paratë për financimin e një konsulenti të tillë për fushatën elektorale.

“Po na vjen dhe sherifi! Turistat janë të gjithë të mirëpritur të vijnë, por këta turistat që marrin kaq shumë para dhe si i marrin është një pyetje më vete, ku gjenden gjithë ato para për këta lloj turistash. Megjithatë, të vijnë, bujrum janë të mirëpritur! Erdhi dhe 11 maji në fakt dhe aty do të duken qartë dhe pastër të gjitha gjërat”, tha Rama.

Rama tha se problemet e shefit të opozitës me drejtësinë nuk mund të mbyllen duke kontraktuar një konsulent amerikan për fushatën elektorale.

“Bëhet fjalë për individë që kanë probleme të hapura me drejtësinë. Si mendoni ju, që BE këto nuk i merr në konsideratë? Apo është një studio konsulence që paguhet me kushedi se sa dhe se si paguhet, dhe vjen nga Amerika këtu se paguhet dhe bën fushatë për një palë, dhe këtu mbyllet filmi?

Nuk mbyllen kështu filmat me BE, janë ndryshe. As me Amerikën. Është interesante se si gjithë këto vite dhe një pjesë e këtyre që u rritën në kënetën mediatike, nuk e mësuan akoma, ose bëjnë sikur nuk e kanë mësuar, si funksionon BE dhe si funksionon Amerika”, tha Rama.

Të Fundit