Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga këtë të mërkurë dy persona, pasi u kapën duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të fshehura në shasinë e automjetit, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, u arrestuan shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë, dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Njoftimi i plotë i policisë:
“DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Ura”. Sekuestrohen 34 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.
U kapën tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të cilat i kishin fshehur te shasia e automjetit, me qëllim trafikimin në Greqi, arrestohen 2 shtetas.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Ura”.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë), dyshohet me qëllim trafikimin në Greqi.
Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit.
Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.



