Po transportonin 50 mijë € veshje e aksesorë kontrabandë, 3 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, mes të cilëve edhe pronari i një dyqani, të cilët po transportonin veshje dhe aksesorë të kontrabanduar me një vlerë rreth 50,000 euro.

Operacioni i koduar “Furnizimi”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, u finalizua pas informacionit të siguruar nga inteligjenca policore.

Të arrestuarit janë A.K., 33 vjeç, K.K., 66 vjeç dhe S.K., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Ata u kapën në rrugën “Teodor Keko” duke transportuar me dy automjete 16 çanta dhe valixhe të mbushura me veshje dhe aksesorë pa fatura blerjeje. Hetimet sugjerojnë se këto mallra kontrabandë ishin të destinuara për t’u shitur në dyqanin e 33-vjeçarit, A.K.

Gjatë operacionit, u sekuestruan mallrat, dy automjetet dhe dy telefona celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Ky aksion është pjesë e angazhimit të Policisë së Shtetit për të luftuar krimin ekonomik dhe kontrabandën në vend.

Të Fundit