Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u paraqit këtë të mërkurë në Prokuroinë e Posaçme.
Në afërsi të SPAK automjeti i Bardhit është përplasur me një motoçikletë, por pa pasoja të rënda.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, mjeti i Bardhit ndodhet i ndaluar në mes të rrugës, ndërkohë që drejtuesi i motomjetit ka zbritur dhe nuk paraqet asnjë dëmtim.
Bardhi u thirr në organin e akuzës për t’u pyetur në lidhje me denoncimin e bërë prej tij, dy ditë më parë, për komunikimet në SKY ECC.
Ishte vetë kreu i grupit parlamentar të PD-së ai i cili informoi të hënën Prokurorinë e Posaçme, mbi disa mesazhe që mbërritën në telefonin e tij nga një përdorues me emrin “Mbreti Zog”. Sipas Bardhit mesazhet i mbërritën në mbrëmjen e 28 shtatorit në aplikacion ‘Signal’.
Përmbajtja e mesazheve konsistonte në dy dokumente përgjimesh të Sky, me mbishkrimin të jesh mirë dhe poshtë saj emrat e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, të dy personazhe të botës së krimit, ku Erigers Mihasi është ekzekutuar në një atentat në zonën e Astirit.
Në shkresën drejtuar Altin Dumanit, Bardhi nënvizon se mesazhet janë një përpjekje për ta intimiduar atë përmes dokumenteve të falsifikuara dhe kërkon nga SPAK hetimin e tyre.