Po merrte informacion në Drejtorinë Kamëz-Vorë të Kadastrës, dhunohet gazetarja e “Stop”

Detyra e gazetarëve në çdo rast është që të marrin informacione për çështje me interes publik duke ushtruar lirshëm profesionin e tyre pa frikë nga ndonjë pengesë apo dhunë. Pikërisht këtë detyrë po kryente gazetarja Domenika Bajraktari e emisionit Stop në Tv Klan ditën e enjte, më 4 shtator, kur u paraqit te Drejtoria Kamëz-Vorë e Kadastrës, mirëpo u përball me një situatë dhune.

Bajraktari është penguar të bëjë detyrën dhe për më tepër është goditur me telefon në shpinë nga personi me inicialet F. M., 67-vjeçar. Pas incidentit, Bajraktari e ka denoncuar rastin në polici. Uniformat blu menjëherë pas denoncimit e arrestuan 67-vjeçarin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin F. M., 67 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç. Pasi ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasja D. B., gazetare, se është penguar gjatë kryerjes së detyrës dhe është goditur me telefon në shpinë nga shtetasi F. M.“, bën me dije policia.

Por kjo nuk është e gjitha, kameramani që e shoqëronte gazetaren, gjithashtu është penguar në kryerjen e punës së tij, nga dy roje private të institucionit me inicialet Q.L dhe H.B. Këta të fundit i kanë dëmtuar pjesërisht kamerën gjatë filmimit.

Policia ka njoftuar se po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ky nuk është rasti i parë i dhunës ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës.

Të Fundit