Kryeministri Edi Rama ka ‘shpërthyer’ ashpër ndaj kryebashkiakëve për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve. Gjatë takimit me ta ditën e sotme, Rama ka akuzuar bashkitë e vendit se janë në shkelje totale të ligjit.
Ai u ka kërkuar atyre të marrin masa përpara se pasqyra e riorganizimit të tregojë fakte që do të mbeten në satirën e shqiptarëve.
“ Kthehemi tek e njëjta fabul që ata që nuk paguhen ankohen se nuk kanë bukë ndërkohë që ata që mund të ankoheshin ishin paguesit më të rregullt të energjisë elektrike. Edhe këtu abuzimin më të madh e bëjnë bizneset, hotelet jo familjet. Se nuk u vjen ujësjellesave e keqja nga familjet në nevojë. Kjo gjendje është në kufijtë e absurditetit dhe Ministria e Energjisë dhe e Infrastrukturës do të ndërhyjë me njëherë duke ndërtuar një proces ndërveprimi më partnerët dhe me ju për të riorganizuar të gjithë sistemin me themel. Cilido që nuk do të dojë të kuptojë se një ndërmarrje ujësjellësi që nuk mbulon as pagat, as sigurimet dhe që mban me borxhe lista të tëra punonjësish është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë. Nuk diskutohet që as Korca dhe Pogradeci nuk i paguajnë dot kreditë. Jemi në kushtet që duhet të ndalojë kjo hemorragji papërgjegjshmërie me kosto marramendëse për shtetin dhe qytetarët. 1 miliardë euro investime qeveria shqiptare bashkë me partnerët për ta zgjidhur këtë cështje njëherë e mirë. Ne kemi një përgjegjësi që nuk e shmangim dhe delegojmë dot më. Pjesa dërrmuese e bashkive janë në shkelje të ligjeve nga ana ligjore ndërsa kur marrin përgjegjësi e delegojnë tek bashkia. Do të bëjmë një skanim të të gjitha burimeve njerëzore.Sa janë në profilin e tyre punonjësit? Merrini masat vetë përpara se këto pasqyra do të tregojnë gjëra që do të mbeten në satirën e shqiptarëve. Do të kërkojmë ehe ndihmën e partnerëve tanë për një proces serioz. Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që duan të marrin një rrogë që nuk janë fare në Shqipëri, janë ndërmarrje. Është e trishtueshme kjo pamje dhe prandaj vendosëm ta bëjmë publikisht këtë gjë. Ky është abuzim i hapur me votën e popullit”- tha ai.