Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së mërkurës në Kukës, ku i lënduar ka mbetur 29-vjeçari Elvis Halilaj, kushëriri i kryetarit të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj.
Disa orë pas këtij incidenti, është bërë e ditur se Eduart Shalsi ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Partisë Socialiste në Kukës, Albert Halilaj.
Shalsi ka njoftuar pasditen e së mërkurës drejtuesit lokalë se do të marrë vetë drejtimin e PS-së në Kukës deri më 11 maj.
Në njoftimin e tij për socialistët, ai ka theksuar se drejtuesit lokalë të pushtetit vendor nuk mund të mbajnë njëkohësisht edhe postin e kryetarit të partisë.
Eduart Shalsi, i cili u emërua si drejtuesi i ri politik i socialistëve në Kukës në janar të vitit 2025, ka shkarkuar nga detyra Albert Halilajn, i cili mbante edhe postin e kryebashkiakut të Kukësit.
Halilaj ishte caktuar më herët si kryetar i komanduar i degës së PS në Kukës nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.
Detajet e konfliktit që çoi në plagosje
Ngjarja ka nisur si një përplasje fizike në qytetin e Kukësit, e cila më pas ka përfunduar me plagosjen e një të riu në fshatin Bicaj.
I plagosur ka mbetur 29-vjeçari Elvis Halilaj, i cili dyshohet se është qëlluar nga Zenel Muçmata, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Kukës.
Sipas burimeve, konflikti fillimisht ka nisur në vendin e quajtur “Sheshi i Agjencisë Bicaj” për motive të dobëta, ku Halilaj ka goditur me grushte Muçmatën.
Pas përplasjes fizike, Halilaj është larguar drejt fshatit të tij, por është ndjekur nga autori i dyshuar. Sapo makina e Halilajt ka ndaluar pranë banesës së tij, Muçmata ka qëlluar një herë me armë zjarri.
Plumbi e ka kapur 29-vjeçarin në pjesën e pasme, por fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën.