Një ngjarje me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së premtes në zonën e Fllakës, në Durrës, ku një 36-vjeçar u plagos teksa ndodhej në mjetin e tij.
Sipas burimeve nga policia, i plagosuri Arber Gorgea ka deklaruar se një automjet tip “Ford” i është afruar paralelisht me makinën e tij dhe nga brenda tij është qëlluar tre herë me pistoletë, duke e goditur në krahun e majtë.
“Fordi erdhi paralel me makinën time, më qëlloi 3 herë! Nuk kam konflikte, ndoshta më ngatërruan me dikë tjetër”, mësohet se ka deklaruar Gorgea.
Pavarësisht plagës, ai ka arritur të drejtojë automjetin e tij deri në Komisariatin e Policisë, ku ka kërkuar ndihmë për transportin në spital. Aktualisht, ai ndodhet në sallën e operacionit në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga mjekët.
Në deklaratën e dhënë para efektivëve, Gorgea ka pohuar se nuk ka konflikte personale dhe se mund të jetë ngatërruar me dikë tjetër.
“Makina ‘Ford’ u vu paralel me timen dhe më qëlluan tre herë. Nuk kam konflikte me askënd. Ndoshta më ngatërruan me ndonjë tjetër,” është shprehur ai.
Sipas të dhënave nga autoritetet, Gorgea ka qenë edhe më parë shënjestër e një atentati, rreth dy vite më parë, duke ngritur dyshime për një konflikt të mundshëm të vazhdueshëm.
Policia ka rrethuar zonën e ngjarjes dhe ka shtuar praninë e forcave të saj edhe në ambientet e spitalit. Hetimet janë në vijim për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje.