Policia e Durrësit ka arrestuar një 67-vjeçar, i cili dyshohet për plagosjen me thikë të një të moshuari, pas një konflikti për motive të dobëta gjatë një loje dominosh në lulishten e qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, në pasditen e së hënës, në lagjen nr. 11, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, shtetasi A.SH., 67 vjeç, gjatë një debati verbal dhe shkëmbimi fjalësh fyese, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin F.T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë.
Menjëherë pas veprimit të tij, autori u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap pas ndjekjes nga policia.
Në momentin e arrestimit, ai kishte me vete mjetin prerës me të cilin kreu plagosjen.
Thika u sekuestrua në cilësinë e provës materiale ndërsa i dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” ndërsa hetimet mbi ngjarjen vijojnë.