Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Tiranë, ku një konflikt familjar ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Rreth orës 15:40, në banesën e të dëmtuarit në rrugën “Llambi Bonata”, një 41-vjeçar ka plagosur me armë kunatin e tij, pas një përplasjeje që dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Autori i dyshuar, shtetasi M. T., ka qëlluar me armë zjarri ndaj kunatit të tij, shtetasit G. M., 56 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit në ambientet e Policisë, si dhe sekuestrimi i armës së krimit.
Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, është shpallur në kërkim edhe një 29-vjeçar, shtetasi N. S., i cili dyshohet se ka qenë prezent në banesë në momentin e ngjarjes dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.