Plagë në zemër dhe stomak, spitali i Durrësit: 15-vjeçari në gjendje të stabilizuar

Spitali rajonal i Durrësit ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e 15-vjeçarit të plagosur këtë të mërkurë pas një sherri mes gjimnazistëve.

Spitali përmes një njoftimi bën me dije se i mituri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi kishte plagë në zemër dhe stomak.

Fatmirësisht ai është në gjendje të stabilizuar por ende është në reanimacion.

“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi.

U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.

Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, njofton spitali.

Të Fundit