Piceri ‘çerdhe droge’, aktiviteti kriminal në Tiranë, motorristi shpërndante drogë në vend të picave

TIRANË

Policia e Tiranës ka zbuluar një aktivitet kriminal të fshehur pas një picerie në kryeqytet që përgatiste dhe shiste drogë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve L. N, 24 vjeç, E. P, 21 vjeç dhe u procedua penalisht shtetasja Xh. Ç, 23 vjeçe.

24-vjeçari kishte në administrim një piceri, të cilën e shfrytëzonte për fshehjen e lëndës narkotike, dhe pasi e ndante në doza e shiste më pas nëpërmjet shtetasit E. P., i cili e shpërndante lëndën narkotike duke u kamufluar si shpërndarës picash.

Ndërsa shtetasja Xh. Ç, (bashkëjetuesja e L.N) ka fshehur lëndën narkotike. Në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe një peshore elektronike.

Po kështu, forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Gj, 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të mjetit të tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Të Fundit