Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion në një lokal në zonën e Xhamllikut, ku ka arrestuar pesë persona të dyshuar si të përfshirë në organizimin dhe vendosjen e basteve sportive.
Në pranga kanë rënë pronari i lokalit, Njuel Palaj, 28 vjeç, administratori Arsen Zebi, 35 vjeç, si dhe tre shtetas të tjerë që po vendosnin baste: Florian Çela, Erigest Alisha dhe Ergest Lloci.
Gjatë kontrollit, në kuadër të operacionit “Rezultati”, u sekuestruan edhe 6 celularë, që dyshohet se përdoreshin për vendosjen e basteve.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore, të kryera me qëllim konstatimin e ambienteve të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, finalizuar operacionin “Rezultati”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit Nj. P., 28 vjeç, A. Z., 35 vjeç, F. Ç., 41 vjeç, E. Ll., 36 vjeç dhe E. A., 24 vjeç.
Në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, që administrohej nga 35-vjeçari, në rrugën “Sadik Petrela”, u kapën këta të dy dhe 3 të arrestuarit e tjerë, duke vënë baste sportive, me celularë ndërsa u sekuestruan 6 telefona.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.