Përpunonin e shisnin kokainë në lokalin e marrë me qira, “Shqiponjat” arrestojnë dy trafikantët në Elbasan.

Policia e Elbasanit ka goditur një tjetër rast të trafikimit të kokainës, duke vënë në pranga dy persona.

Sipas uniformave blu, personat e arrestuar posedonin, përpunonin dhe tregtonin lëndën narkotike. Të arrestuarit janë 38-vjeçari J. H. dhe 24-vjeçari K. Z., të cilët kishin marrë një lokal me qira, ku përpunonin kokainën dhe e bënin gati për shitje.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Finalizohet operacioni “Përpunimi”
Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes në doza të vogla të drogave të forta. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja”. Sekuestrohet kokainë dhe disa peshore elektronike. Në pranga dy persona që posedonin, përpunonin dhe do tregtonin lëndën narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal, në aksin rrugor Elbasan-Bradashesh përpunohej një sasi lënde narkotike kokainë për t’u hedhur në treg, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale “Shqiponja” zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Përpunimi”, si rezultat i të cilit u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. H., 38 vjeç dhe K. Z., 24 vjeç, të dy banues në Karakullak, Bradashesh, Elbasan.

Shtetasit e sipërpërmendur, në fshatin Karakullak, në lokalin e marrë me qera nga shtetasi K. Z., në rrugën dytësore Elbasan-Bradashesh janë kapur në flagrancë ndërsa po përpunonin në bashkëpunim me njëri-tjetrin lëndë narkotike të llojit kokainë, gati për shitje në treg.

Në kuadër të këtij operacioni policor u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia prej 30 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe 3 peshore elektronike, të cilat shërbenin për peshimin dhe ndarjen e dozave të kokainës. Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve“, e kryer në bashkëpunim.

Të Fundit