14 deputetë socialistë i kanë drejtuar dje, 17 tetor, shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për përjashtimin me 30 ditë nga punimet në Parlament të kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Kjo pasi sipas tyre, Bardhi ka thyer në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit, duke ofenduar kryeparlamentarin dhe duke krijuar kaos në sallë me ndërhyrjet dhe tonet e larta.
“Në seancën e datës 16 tetor 2025, gjatë zhvillimit të diskutimeve mbi çështjet e rendit të dites, ku konkretisht po raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deputeti Gazment Bardhi, ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone agresive, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime që përbëjnë shkelje të rëndë të rregullores dhe etikës parlamentare”, thuhet në shkresën ku kërkohet edhe mbledhja e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e tij.
Kujtojmë se në seancën e së enjtes, PS e PD patën debate të ashpra mbi çështjen e gjenocidit në Kosovë, por edhe protestën e mbajtur dje, 17 tetor, në sheshin Skënderbej në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca plenare pasi ndërpreu disa herë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gazmend Gajda, i cili po raportonte si çdo vit në Kuvend.
“Në bazë të rregullores, ju jap masën e tretë, ju hiqet e drejta e fjalës për gjithë ditën e sotme… Atëherë po ju jap masën e katërt. Përjashtoheni nga seanca, largohuni, lini sallën!”, i tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, e paralajmëroi që atë ditë se do të kërkonte përjashtimin e Bardhit, por me 10 ditë. Pavarësisht tensioneve, Bardhi refuzoi të largohej nga salla, duke e detyruar Peleshin të ndërpriste seancën.
“Skenari i përjashtimit të opozitës nga seanca ishte ndërtuar shumë kohë më para se Niko Klouni të dilte ta shpallte në seancë. Gabimisht, Taulant Balla, në vend që të shkruante tek Grupi i PS, shkruan te Grupi i Konferencës së Kryetarëve në Kuvend dhe urdhëron të gjithë drejtuesit e institucioneve të veta që të kujdesen për të sjellë në sallë deputetët e PS”, deklaroi Bardhi para gazetarëve më 16 tetor.