Personi që shihni në foto është 22-vjeçari Fatjon Kasaj nga fshati Lukovë, i cili humbi jetën në një aksident tragjik të regjistruar pak pas mesditës së djeshme në rrugën e lumit të Vlorës.
I riu ka qenë duke drejtuar një motor tip “Yamaha” në momentin kur u përplas nga automjeti tip “Peugeot” që drejtohej nga shtetasi J. K., 80 vjeç, nga Vlora.
I riu humbi jetën në vendin e ngjarjes, teksa përplasja ka qenë aq e fortë sa pas askidentit, makina ka përfunduar jashtë rruge, ndërsa motomjeti i bërë “copë copë” në mes të rrugës.
Ndërkaq policia njofton këtë të hënë se ka arrestuar të moshuarin që drejtonte autoveturën.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Peshkëpi-Kotë”, arrestuan shtetasin J. K., 80 vjeç, banues në Vlorë, pasi drejtonte automjetin që u përplas me motomjetin me drejtues shtetasin F. K., 22 vjeç, banues në Tiranë, i cili humbi jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.