Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, së bashku me drejtues të tjerë të institucioneve të drejtësisë, po marrin pjesë në tryezën e zhvilluar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen.
Në këtë tryezë, Dumani u pyet nëse SPAK mund të konsiderojë masa të tjera sigurimi më shumë sesa arresti me burg.
Ndër të tjera, Dumani shtoi se “përpjekja për ta treguar SPAK-un si represiv, është e dështuar”.
“Çdo masë që kërkojmë, përpiqemi të jemi strikt në zbatimin e kritereve. Lloji i masës përzgjidhet nga disa kritere të caktuara. Përpjekjet për ta nxjerrë SPAK si represiv janë të dështuara.
Vetëm më pak se 9% në masën absolute janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. 49% janë hetuar në gjendje të lirë. Janë hetuar shumë subjekte me shumë masa.
Situata në raportin me SPAK nuk është ajo që paraqitet. Jemi shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Hidhini sytë çfarë ndodh tej SPAK…
Goditja ndaj fuqisë ekonomike të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë gjithashtu progres. Vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara për vitin 2024 në total është 59 milionë euro.
Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave. Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re.
Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve.
Asnjë lloj ndikimi i jashtëm nuk do cënojë as dobësojë forcën hetimore të SPAK në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe misionin përballë shoqërisë”,-u shpreh Dumani.