Komisioni Evropian paraqiti sot në Bruksel strategjinë mbarë-evropiane për vaksinimin e popullatës kundër COVID-19, duke përgatitur me kohë terrenin para daljes së pritshme të vaksinave të ndryshme që po testohen.
“Me Strategjinë tonë të Vaksinave, ne po ndihmojmë vendet anëtare të BE-së të përgatisin fushatat e tyre të vaksinimit: cilët do të jenë ata që duhen vaksinuar të parët, si të mundësohet një shpërndarje e drejtë dhe si të mbrohen më të prekshmit. Nëse duam që vaksinimi të ketë sukses duhet të përgatitemi që tani”, deklaroi Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian.
Në përputhje me Strategjinë e Vaksinave të BE-së të 17 qershorit, Komisioni dhe vendet anëtare po sigurojnë prodhimin e vaksinave kundër virusit, dhe kanë lidhur deri më tani të paktën tre marrëveshje paraprake me kompanitë AstraZeneca për 300 milion doza, me Sanofi-GSK për të njëjtin numër vaksinash, si dhe me Johnson & Johnson për 200 milion doza, ndërkohë që kjo e fundit ndërpreu një ditë më parë kërkimet për vaksinën e saj pas disa rezultateve me pasoja negative tek pacientët provues.
Në të njëjtën kohë, situata epidemiologjike në BE është përkeqësuar tej mase, dhe kjo gjendje do të jetë dhe një prej temave kryesore të samitit të sotëm të udhëheqësve dhe krerëve të qeverive të vendeve anëtare, që mblidhen në Bruksel.
“Vëzhgoj me shqetësim të madh rritjen e shpejtë dhe të pandalshme të infektimeve në të gjithë BE-në. Koha po mbaron dhe përparësia e gjithkujt duhet të jetë që të bëjë atë që duhet për të shmangur pasojat shkatërruese të rikthimit në kufizimet e përgjithshme,”, deklaroi Stella Kyriakides, Komisionerja evropiane për Shëndetësinë dhe Sigurinë Ushqimore, gjatë paraqitjes së sotme të hapave konkretë në përgatitjet për vaksinimin e popujve të BE-së.
Sipas hapave të propozuara nga Komisioni Evropian, ndër të tjera, vendet anëtare duhet të sigurojnë :
– Kapacitetet e shërbimeve vaksinuese për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, përfshirë punonjësit e aftësuar dhe pajisjet mbrojtëse dhe ato mjekësore.
– Qasje të thjeshtë dhe të lirë ndaj vaksinave për popullatat e shënjestruara
– Shpërndarjen e vaksinave me karakteristika të ndryshme dhe nevojat për ruajtjen dhe transportin, në veçanti në lidhje me kapacitetet e magazinimit dhe ruajtjes dhe transportimit në mjetë frigoriferike.
– Komunikim efikas për përfitimet, rreziqet dhe rëndësinë e vaksinave kundër Covid-19 për të ndërtuar besimin e publikut.
Sipas strategjisë së Komisionit, të gjitha vendet anëtare do të kenë qasje tek vaksinat e pritshme në të njëjtën kohë dhe bazuar në numrin e popullsisë. Numri i vaksinave do të jetë i kufizuar në nisje, prandaj ato këshillohen të ndërtojnë grupe të cilat duhet ta marrin vaksinën me përparësi sipas kategorive të mëposhtme :
– Punonjësit e shërbimit dhe kujdesit afat-gjatë shëndetësor.
– Personat me moshë mbi 60 vjeç.
– Personat me gjendje shëndetësore në rrezik.
– Punonjësit e shërbimeve thelbësore.
– Personat që nuk mund të ruajnë distancën sociale.
– Grupet shoqërore dhe ekonomike më të disavantazhuara.
Nga ana tjetër, për Komisionin Evropian, siguria, cilësia dhe efikasiteti i vaksinave janë gurthemeli i çdo zhvillimi vaksinash në proces si dhe autorizimi i tyre, dhe kërkuesit dhe zhvilluesve të vaksinave iu kërkohet të dorëzojnë dokumente dhe të dhëna të shumta pranë Agjencive Evropiane të Mjekësisë dhe nëpërmjet procedurave të Autorizimit Tregtar të BE-së.