Pas përmbytjeve të 4 tetorit në qytetin e Vlorës IMT ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kanalin e ujërave të larta.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, theksoi se pas përmbytjes ka filluar evidentimi i të gjitha segmenteve ku ndodhen kanalizimet, dhe se do të ndërhyhet aty ku është abuzuar me ndërtime të paligjshme.
“Këtu jemi te kanali i ujërave të larta në qytetin e Vlorës dhe me këtë prishje shpresojmë të japim një mesazh të qartë për të gjithë ata që pengojnë mirëfunksionimin e këtij kanali. Masat konkrete që po marrim sot do të vazhdojnë edhe në vijim”,-tha kryebashkiaku Dredha.
I deleguari politik i PS në qarkun e Vlorës, Bledi Çuç ishte gjithashtu u pranishëm në nisjen e aksionit të IMT. Ai tha se masat e marra do të kontribuojnë në parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në kanalet e ujërave të larta në qytetin e Vlorës, i nisur nga Bashkia e Vlorës, do të vijojë në evidentimin e të gjitha ndërhyrjeve të paligjshme në zonë.