Përjashtimi i Berishës, Alfred Rushaj: Basha u largua nga emocionet dhe mori vendim politik

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Alfred Rushaj, ka zhvilluar një intervistë në emisionin “Opinion” këtë të hënë ku është shprehur në lidhje me përjashtimin e Sali Berishës. Ai u shpreh se vendimin e ka mësuar pas daljes publike të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, ky i fundit ka marrë një vendim politik. Rushaj deklaroi se gjatë muajve të fundit në radhët e demokratëve ka qenë i pritshëm një vendim i tillë dhe se ai vetë e kishte menduar.

Blendi Fevziu: Ju jeni kryetar i një grupi që sot nuk do e ketë Berishën brenda, si u mor ky vendim?

Alfred Rushaj: Vendimin e kam mësuar pasi e ka shpallur zoti Basha.

Blendi Fevziu: E prisnit?

Alfred Rushaj: Të them të drejtën gjatë këtyre dy tre muajve kjo gjë ka qenë në mendjen e gjithsecilit prej nesh. E kemi menduar, e kam menduar me veten time, kam bërë argumentet pro dhe kundër deri në momentin e fundit që e kam dëgjuar. Në fakt nuk kisha një mendim sepse është një çështje aq delikate dhe aq e hollë.

Blendi Fevziu: Ju keni qenë në administratën e zotit Berisha kur ai ishte kryeministri i Shqipërisë, pra keni punuar me zotin Berisha, ndërkohë që sot merret një vendim pikërisht për personin që në një farë mënyrë ju ka sjellë i pari në Partinë Demokratike.

Alfred Rushaj: Vendimi që ka marrë Basha është shumë i vështirë dhe nëse ka diçka që unë mund ta dëshmoj është që unë besoj që Sali Berisha asnjëherë nuk i ka marrë njeriu Lekë apo nuk i ka kërkuar njeriu Lekë, pra është diçka që unë e besoj thellësisht. Si unë ka shumë demokratë dhe vetë zoti Basha e ka shprehur këtë gjë duke thënë që është absolutisht e pamerituar ajo se çfarë i ka ndodhur zotit Berisha. Unë besoj se zoti Basha ka marrë një vendim politik, është larguar nga emocioni që unë kam apo anëtarësia ka, apo ai vetë ka dhe ka marrë një vendim politik. Atij i është dashur të zgjedhë ndërmjet diçkaje që është personale dhe një vendimi politik që mund të ishte pasoja për Partinë Demokratike, më e pakta izolimi me partnerët tanë SHBA./tvklan.al

Të Fundit