Përgjegjësi i ARRSH: Mjetet e tonazhit të rëndë mbi norma, shkak kryesor i degradimit të rrugëve

Izolimi i juglindjes për shkak të shembjes dhe zhvendosjes së rrugëve ka sjellë pikëpyetje mbi sigurinë në zonë.

Përgjegjësi i sektorit të menaxhimit të kontratave në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gëzim Noni, ishte këtë të enjte, 26 shkurt, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ku dhe dha disa përgjigje mbi shqetësimet lidhur me këtë problematikë.

Fillimisht, Noni shprehet se në vetvete nuk përbën lajm shkarja, por bllokimi i qarkullimit rrugor. I pyetur përse ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur dikur, duke marrë si shembull kohën e ish-diktatorit të vendit, Enver Hoxhës, përgjegjësi i ARRSH-së shprehet se ndryshimi në këtë rast është fluksi.

“Shkarje të tilla i shohim se i kemi dhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria. Në të njëjtën situatë është Turqia, ka qenë Italia, vendet e rajonit, etj., etj. Ajo që bën bujë është ndërprerja e trafikut. Kjo është…

Pastaj, ka dhe një gjë. Fluksin që kishim në kohën e Enverit nuk ka lidhje me fluksin e sotëm. Fluksi avancon me vite”, tha Noni.

Fakti që këto shkarje kanë ndodhur në të njëjtën kohë, si në Librazhd-Përrenjas, si në Boboshticë-Dardhë, a justifikohen për shkak të motit? Për këtë, Noni tha se për aksin Boboshticë-Dardhë shembja është e vjetër dhe se nuk ka pasur fonde tek ARRSH-ja që të zhvillohen projekte në këtë rrugë.

“Sa i përket Boboshticë-Dardhë, është një shembje e vjetër, e evidentuar. Ka vite që funksionon ashtu. Janë bërë projektet herë pas here, presim në çdo moment një financim, që deri më tani nuk është bërë i mundur. Kështu ka funksionuar, por sillet në vëmendje qëllimisht dhe sillet sikur është bërë nami gjithandej. Madje, na faturojnë rrugë që s’janë aspak të institucionit tonë. Na faturojnë rrugë lagjesh, fshatrash…”, tha ai.

Pyetja më e madhe që shtrohet është se çfarë ndikon më së shumti në degradimin e rrugëve? Faktorët janë të shumtë, duke nisur nga ata të shkaktuar nga natyra, por diçka që veçohet nga Noni është kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Këto të fundit, janë shpesh mbi norma, çka pasojnë dhe në prishjen e rrugëve.

“Kanë rol të jashtëzakonshëm. Përveçse që kemi dhe një gjë tjetër që duhet ta themi, madje duhet ta themi me zë të lartë. Të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë janë mbi normat e lejuara. Të gjitha! Nuk kontrollohen, nuk menaxhohen, sot që flasim kjo gjë nuk ndodh. Kjo vërehet gjithandej. Shkaku kryesor i degradimit të rrugëve janë këto mjete të transportit të rëndë, me ngarkim mbi normat e lejuara”, tha ai.

 

Të Fundit