Ministri i Brendshëm Taulant Balla njofton se janë pezulluar nga detyra dy efektivët e policisë, të cilët hetuan rastin e 26-vjeçares së përdhunuar në Vlorë ditë më parë.
Sakaq Balla bën me dije se përveç pezullimit nga detyra, dy policëve u është ndaluar dhe dalja nga territori i Shqipërisë.
Policet e pezulluar nga detyra jane N/Komisar Ervis Cipa dhe Ornela Hajrulla me detyre Specialist per Hetimin e Krimeve ne Komisariatin e Policise Vlore.
Njoftim i plotë:
Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse. Për këtë qëllim Agjensia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë.
Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit. Prandaj e kam thënë dhe ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetir që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.