Shkencëtarët, dietologët dhe nutricionistët prej vitesh flasin për uljen e konsumimit të kripës për shkak të dëmeve që ajo sjell në shëndet.
Këto përpjekje mund të jenë drejt finalizimit me shpikjen e një luge elektrike që stimulon gjuhën duke theksuar shijen e kripur në ushqimet që e përmbajnë me pakicë dhe si rezultat, mund të hani vaktin tuaj pa frikën e ngritjes së tensionit të gjakut.
Kjo lugë, e krijuar nga shkencëtarët në Universitetin Meji në Japoni, funksionon me ndihmën e valëve elektrike për të dërguar jone sodiumi ose “kripë elektrike” në gojën tuaj. Rryma nuk ka asnjë efekt në trupin njerëzor madje ndryshon mënyrën si shijon ushqimi nëpërmjet perceptimit pseudo-sensor.
Shpikja, e cila pritet të dalë në shitje këtë vit, por çmimi nuk është bërë ende i ditur, është aq efektive sa e rrit shijen e kripës në ushqimet me përmbajtje të ulët të saj me 1.5 herë.
Së bashku me lugën, është edhe një tas me të njëjtin funksion. Vitin e shkuar, laboratori zhvilloi edhe shkopinj, të cilët transmetojnë jonet e sodiumit të lidhur pas kyçit të dorës.
Sasia e lartë e kripës rrit incidencën për tension të lartë, infarkte dhe sëmundje të tjera. Të rriturit dhe fëmijët nga 11 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 6 gramë kripë në ditë ose ndryshe një lugë gjelle. Për fëmijët 1-3 vjeç nuk rekomandohet më shumë se 2 gramë në ditë, 3 gramë për ata 4-6 vjeç dhe 7-10 vjeç jo më tepër se 5 gramë.