Partia Demokratike ka njoftuar se ditën e hënë, më 6 janar, do të zhvillojë një protestë para selisë së SPAK në Tiranë, si reagim ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për rikthimin e masës së detyrimit për paraqitje ndaj kryedemokratit Sali Berisha.
Protesta do të mbahet në orën 9:30 dhe pritet të mobilizohen të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike.
Euronews Albania ka siguruar mesazhin që u është dërguar strukturave të PD, ku kërkohet që simpatizantët të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimeve të gjykatave që, sipas tyre, përdoren për të përndjekur kundërshtarët politikë të qeverisë.
Mesazhi i dërguar për strukturat e PD thotë:
“Të dashur miq, ditën e hënë, në orën 9:30, mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar përpara SPAK-it, si vegël në duar të Edi Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të të drejtës, të ligjit dhe të vërtetës që është në anën e Kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha. Të gjithë në orën 9:30 përpara selisë së SPAK-it.”
Kujtojmë se të hënën në orën 10.00 Sali Berisha do të paraqitet në SPAK, pas masës “detyrim paraqitje” të marrë nga Apeli i GjKKO.