Situata e zjarreve në Bashkinë e Gramshit është përmirësuar të premten. Aktualisht mbetet aktive vetëm një vatër pranë njësisë administrative Skënderbegas, ndërsa vatrat në zonën e teqes së Dushkut dhe në Ermenjë janë shuar plotësisht.
Sipas burimeve zyrtare, ditën e hënë do të ngrihen grupe pune me agronomë, veterinerë, ekonomistë dhe ekspertë të fushave përkatëse, të cilët do të inspektojnë nga afër çdo fshat për të evidentuar dëmet.
Banorët po kthehen gradualisht në shtëpitë e tyre, ndërsa strukturat e emergjencave kanë kërkuar që çdo vatër të mbahet nën kontroll, pasi rreziku i riaktivizimit mbetet i pranishëm edhe pas shuarjes.
Roje pylli, zjarrfikës dhe vullnetarë vijojnë të qëndrojnë të shpërndarë në terren për çdo ndërhyrje të mundshme. Paralelisht, po punohet për rikthimin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në fshatrat e prekur nga flakët.