Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi ishte në kërkim me fletarrestim ndërkombëtar që nga 17 dhjetori 2024, pasi Prokuroria Themelore Publike kishte hapur hetim ndaj tij për përvetësim të 8,2 milionë eurove në “Lotarinë Shtetërore”. Për këtë rast, Gjykata Themelore Penale në Shkup kishte caktuar masën e paraburgimit 30-ditor si për Grubin, ashtu edhe për ish-drejtorin e ndërmarrjes, Përparim Bajrami, i cili vazhdon të jetë në arrati.
Grubi akuzohet për veprën penale “Përvetësim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime të bazuara se ai, në bashkëpunim me drejtorin e ndërmarrjes dhe gjashtë persona të tjerë, ka marrë pjesë në procedura të kundërligjshme të furnizimit publik, të cilat kanë shkaktuar dëm financiar prej 8,2 milionë eurosh.
Hetimet fokusohen në vendimin për blerjen e terminaleve të videolotarisë (VLT) në vlerë prej 501.319.119 denarësh. Prokuroria thekson se “Lotaria Shtetërore” nuk ka pasur të drejtë ligjore të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit, pasi që nga viti 2013 këtë të drejtë e kishte transferuar si kontribut jomaterial në shoqërinë “Kazinos Austria” DOO Shkup, ku zotëron 51 për qind të kapitalit themelor.
Sipas akuzës, më 6 qershor 2023, në cilësinë e zëvendëskryeministrit, Grubi ka kryesuar mbledhjen e Qeverisë si Kuvend i Aksionarëve dhe ka miratuar informacionin për nisjen e procedurave, ndonëse organi në fjalë nuk kishte kompetencë për të vendosur për një marrëveshje të tillë. Më pas janë zhvilluar procedurat e prokurimit dhe janë lidhur kontrata për furnizimin me terminale, të cilat, sipas Prokurorisë, nuk janë vënë asnjëherë në funksion.
Më 9 dhjetor 2024, Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti u përfshinë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.
Pas arrestimit të sotëm në pikën kufitare në Bllacë, ish-zëvendëskryeministri pritet të dalë para gjykatës paraprake, e cila do të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.



